Kreu i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka kërkuar lirimin e dy personave të arrestuar nga policia serbe, duke thënë se ky veprim është i papranueshëm.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se personat, njëri prej tyre këshilltar komunal, janë arrestuar në rrethana të pasqaruara dhe se ata ishin duke ecur brenda territorit të komunës së Podujevës, përgjatë brezit kufitar.
“Arrestimi nga policia serbe i dy qytetarëve të komunës sonë gjatë ditës së shtunë, njëri prej tyre këshilltar në Kuvendin e Komunës së Podujevës, është një veprim i papranueshëm”, ka thënë Bulliqi.
Ai thekson se ata janë arrestuar në rrethana të pasqaruara derisa kishin dalë të ecnin brenda territorit të komunës sonë, përgjatë brezit kufitar.

“Ndonëse, nuk kemi asnjë informatë nga shteti serb, as nga institucionet tona kompetente të sigurisë, duke dënuar aktin kërkoj nga shteti serb që t’i lirojë menjëherë dy qytetarët tanë, që po mbahen të ndaluar”, ka shkruar Bulliqi.

Ndryshe, policia serbe ka arrestuar dje dy qytetarë të Podujevës, të cilët dyshohet se për shkak të mjegullës mund të kenë dalë në territorin e Serbisë.

Share This