Pasi qytetarët nuk po iu binden thirrjeve për të respektuar masat në luftë ndaj COVID-19, hapi i ardhshëm do të jetë ndarja e gjobave. Këtë e ka paralajmëruar Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ibrahimi ka thënë se do të vjen koha që masat të shqiptohen, pasi nuk po respektohen kërkesat.

Ibrahimi ka thënë se kryetarët e komunave nuk janë pro masave ndëshkuese, por po detyrohen të veprojnë ndryshe.

“Deri më tani çdo qytetari i është tërhequr vërejtja që mos të e përsërisë gabimin. Gastronomia – që është një vatër, po frekuentohen kafiteritë – në takimet që i kanë pasur më herët shoqatat e gastronomëve, kanë dhënë premtime. Por nuk janë duke respektuar masat. Kryetarët e komunave nuk janë shumë për shqiptimin e gjobave, sepse janë gjoba të mëdha. Gjobat janë prej 3000 euro e më lartë. Ato mund t’i shqiptohen personit juridik”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, bizneseve deri më tani vetëm u është tërhequr vërejtja, pasi ishin të mbyllura për kohë të gjatë.

“Prej javës së ardhshme besoj se do të veprohet sepse po shihet që vetëm shqiptimi i gjobave ndoshta do t’i vetëdijesojë pronarët e restoranteve, kafiterive, për krijimin e kushteve që janë të parapara”, ka theksuar Ibrahimi.

Ai thotë se koordinimi nuk mungon, por se ka pasur hezitim për të ndarë gjoba. 

Share This