Rreth 35 mijë kosovarë ia kanë dhënë lamtumirën Kosovës gjatë vitit të kaluar.
Ata kanë hequr dorë nga vendlindja e tyre në kërkim të një jetë më të mirë në shtetet e huaja. Shumica e tyre e kanë braktisur vendin shkaku i bashkimit familjar dhe gjetjes së një vendi pune.
Kosova po vazhdon të braktiset nga shtetasit e saj për cdo vit. Madje, krahasuar me vitin 2018, numri i atyre që kanë marrë rrugën për në shtetet e huaja ka shënuar rritje.
“Numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2019 është vlerësuar të jetë gjithsej 34,911 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë. Pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2019 ishin emigrantët legal. Emigrimi legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtete fqinje), studime afatgjata me punësim etj”, thuhet në raportin e ASK-së.
Bazuar në këtë raport, më së shumti qytetarë kanë ikur nga Gjilani, Suhareka, Malisheva, Vushtrria, Rahoveci e Gjakova.
Vetëm nga këto komuna kanë dal jashtë vendit rreth 15 mijë persona.
Por, përvec atyre që e lanë Kosovën e shkuan për të jetuar në vende të huaja, të tjerë ndërruan vendbanimin.
Sipas këtij raporti, mbi 9 mijë kosovarë ndërruan qytetin ku jetonin. Arsyet kryesore për këtë kanë qenë martesat që janë realizuar gjatë 2019-ës.